Pasditen e së hënës nis sesioni i ri parlamentar pas pushimeve të verës. Deputetët do ta nisin punën me propozimet e socialistëve dhe të grupit të Enkelejd Alibeajt për hapjen e dosjeve të komunizmit pas kërkesës së Autoritetit. Enkelejd Alibeaj kërkon hapjen totale të dosjeve. Ai kërkon që çdo njeri që ka interes të kërkojë mbi atë periudhë dhe rolin e ish-sigurimsave, me emra konkretë, të mësojë të vërtetën duke hapur cdo dosje.
“Të deklasifikohen dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, për periudhën 29 nëntor 1944 deri në ditën e krijimit të Shërbimit Informativ Kombëtar, 2 korrik 1991, të cilat disponohen nga të gjitha arkivat e rrjetit arkivor të Republikës së Shqipërisë. Në mënyrë që e drejta për t’u informuar të mos kufizohet vetëm tek të prekurit, por edhe çdo qytetar tjetër i interesuar”, thuhet në nismën ligjore të Grupit të Alibeajt.
Demokratët kërkojnë edhe dekomunistizimin që prek jo vetëm veprat letrare të realizimit socialist por edhe kinematografinë e kohës. Propozimi parashikon vendosjen e një shënimi tek çdo film apo libër për të shpjeguar se prodhimi ka përmbajtje të ideologjisë komuniste. Nisma e grupit të Alibeajt nuk mbështetet nga Sali Berisha dhe deputetët e “Foltores”.