Për Listën Serbe, populli serb në Kosovë nuk do të dëgjojë kurrë, Albin Kurti, kryeministrin e Kosovës, por presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, të cilit i beson pa rezerva.
Ndryshe ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, në një konferencë për media, pati bërë të ditur se njëri nga pjesëtarët e Policisë së Kosovës nga komuniteti serb, ishte sulmuar pasi që ka konvertuar targat nga ato ilegale në legale.
Megjithatë një gjë e tillë sipas, Listës Serbe, është i pavërtetë pasi që sipas tyre “pretendimet e tilla” po shërbejnë për të mbuluar dështimin e implementimit të vendimit të Qeverisë së Kosovës për konvertimin e targave nga ato ilegale në RKS.
“Gënjeshtër brutale, se presidenti Vuçiç po vë në shënjestër ata të cilët po konvertojnë targat e tyre.
Mosbesimi ndaj qeverisë në Prishtinë dhe mosbindja e serbëve në Veri është e qartë dhe asnjë gënjeshtër i Sveçlës nuk do ta ndryshojë këtë”, thuhet në komunikatën për media e lëshuar nga Lista Serbe.
Serbët e Kosovës do të kenë dy muaj kohë, nisur nga 1 shtatori, për t’i konvertuar targat e tyre ilegale me akronime si KM, PZ, e të tjera, në ato RKS.
Një gjë të tillë e ka konfirmuar vetë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një paraqitje para gazetarëve, ku ftoi të gjithë qytetarët serb ta shfrytëzojnë këtë mundësi, kështu duke u liruar edhe nga detyrimi i pagesës së TVSH-së, akcizës e doganës.
“Fushata për ndërrim të targave, nga ato që i ka lënë regjimi i Millosheviç’it e që secili pushtet i mëpasshëm i Serbisë i ka vazhduar, te ato legjitime të Republikës së Kosovës do të fillojë më 1 shtator dhe do të vazhdojë deri më 31 tetor”, ka thënë Kurti.