Në një strategji të re për “Mbrojtjen e Bimëve” që synon të zbatohet gjatë 2022-2032, Ministria e Bujqësisë konstaton se situata e monitorimit të mbipërdorimit të pesticideve gjatë rritjes së bimëve është jashtë kontrollit.
Sipas analizës së Ministrisë së Bujqësisë shkak për këtë situatë është bërë mos kthimi në kohë i përgjigjeve së analizave nga ISUV për mostrat në bimë dhe produkte bimore/fruta -perime të marra dhe dërguara nga AKU për praninë e pesticideve mbi normat e lejuara.
Dokumenti i Ministrisë së Bujqësisë vë në dukje se, ndër vite, bazuar në planin e monitorimit të mbetjeve të pesticideve, AKU ka marrë mostra të bimëve apo produkteve bimore (të prodhuara në vend dhe të importuara) në treg, pika grumbullimi, njësi tregtare dhe supermarkete në të gjithë vendin.
Rezultatet e testeve të mostrave të marra në bazë të planit të monitorimit apo mostrave të produkteve bimore të destinuara për eksport, kanë treguar se në bimë dhe produkte të ndryshme bimore, ka pasur raste kur përmbajtja e mbetjeve të pesticideve ka tejkaluar kufijtë e përcaktuar (normat e lejuara).
Prania e mbetjeve të pesticideve është konstatuar kryesisht në mostrat e domateve, spinaqit, marules jeshile, patateve, trangujve, specave, karotave, pjeshkës, nektarinave, mollëve, luleshtrydheve dhe pjeprit. Në ngarkesat e eksportuara janë gjetur në speca, domate, nektarina, luleshtrydhe dhe mollë.
“Vonesa në marrjen e përgjigjeve të analizave ose mos-marrja e përgjigjet e analizave nga laboratori ISUV mbetet shqetësuese, pasi zvogëlon efektivitetin e marrjes së masave të duhura në garantimin e sigurisë ushqimore për të ndjekur gjurmimin nga njësia tregtare ose vendi i grumbullimit, te fermeri prodhues”, analizon Ministria e Bujqësisë./ Monitor