Vajzat që vendosin shami nën moshën 16-vjeçare janë nën një lloj diktati. Një vijë shumë e hollë i ndan vajzën që mban shami dhe vajzën e cila zbulon pjesët e trupit publikisht.
Në të dyja rastet kemi të bëjmë me probleme esenciale të emancipimit të vajzave.
Po synohet që Kosova të kthehet në Republikë Islamike. Përgjegjësinë për mungesën e Ligjit për Fenë e kanë dy-tri legjislaturat e fundit dhe mungesa e këtij ligji do t’na nxjerr problem për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe UNESCO.
Të gjitha këto i ka deklaruar Kreu i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja, mbrëmë në një intervistë.
Kraja ka thënë se edhe në rastet e vajzave që bartin shaminë, e edhe në rastin kur vajzat zbulojnë pjesët e trupit publikisht, kemi të bëjmë me probleme esenciale të emancipimit.
Sipas Krajës, vajza që vendos shami në moshë minorene, është e kufizuar dhe nën diktat.
“Dy probleme themelore janë për ne te çështja e shamisë në përgjithësi në kontekstin në Kosovë. E para është e dëmshme për emancipimin e vajzës në Kosovë. Emancipimi i vajzës është problem i madh në Kosovë. Nuk është emancipim vetëm shamia, që vënë kufizim në pamjen e saj, vënë kufizime në përceptim, në zhvillim të mendimit, në lirinë e mendimit.
Ajo, vajza që vendos shami është e kufizuar, është nën diktat. E njëjta gjë sa i përket emancipimit, këtu ka një vijë shumë të hollë. Me të dyja rastet kemi të bëjmë me probleme esenciale të emancipimit të vajzave dhe në këtë rast. Shamia paraqitet një pengesë serioze në emancipimin e vajzës te ne.
I vendos kufizime të cilat janë, domosdo do të reflektohen në krijimin e personalitetit të saj. Pastaj e dyta, çështje tjetër, çështje e dytë është se shamia vendos probleme të theksuara në çështje të identitetit”, ka deklaruar Kraja në RTK.