Të paktën 4 jahte janë djegur pasditen e së mërkurës në ishullin e Korfuzit në Greqi.
Një zjarr i madh shpërtheu në bordin e një jahti 20 metra të gjatë, të ankoruar në Gouvia Marina në Korfuz. Flakët shpërthyen rreth orës 16:00 të pasdites së sotme duke u përhapur me shpejtësi dhe për pasojë janë djegur edhe tre jahte të tjerë.
Mediat greke raportojnë se “pas zjarrit pati një shpërthim” dhe që atëherë zjarri është përhapur me shpejtësi.
Skai.gr raporton se në vendngjarje kanë shkuar forca të mëdha zjarrfikëse, të cilët po punojnë për largimin e varkave dhe për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të zjarrit.
Ende nuk dihen shkaqet e rënies së zjarrit dhe nuk raportohet për viktima.