Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken ndodhet në Ukrainë, në një vizitë të paparalajmëruar, dëshmi e mbështetjes së vazhdueshme të Uashingtonit për Kievin, ndërsa kanë kaluar më shumë se gjashtë muaj nga sulmi i Rusisë ndaj këtij vendi.
Zoti Blinken njoftoi të enjten 2.6 miliardë dollarë ndihmë për Ukrainën dhe 18 vende të tjera në rajon “më të rrezikuarat nga një agresion rus në të ardhshmen”.
Ndihma përfshin 675 milionë dollarë në armatime, municione dhe pajisje shtesë amerikane.
Blinken pritet të njohë autoritetet në Kiev me kërkesën që i ka bërë Kongresit për miratimin e 2 miliardë dollarëve të tjerë në investime afatgjata.
Vizita e zotit Blinken në Kiev i paraprin mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ku udhëheqësit botërorë do të takohen për të ripohuar parimet e Kartës së OKB-së për sovranitet dhe integritet territorial.
“Ne jemi të përqendruar tek ndihma që do të mundësojë që Ukraina të dominojë në këtë luftë, në mënyrë që kur të mbërrijmë në ditën për të negociuar një zgjidhje, Ukraina të ndodhet në pozitat më të forta të mundshme”, tha një zyrtar i lartë amerikan.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin njoftoi gjithashtu të enjten se Shtetet e Bashkuara planifikojnë t’i ofrojnë Ukrainës një ndihmë të re sigurie në vlerën e 675 milionë dollarëve, dy javë pasi Uashingtoni premtoi 3 miliardë dollarë ndihmë sigurie për Kievin.
Paketa shtesë do të përfshijë më shumë armë të artilerisë së rëndë Howitzer; sisteme raketash me lëvizshmëri të lartë ose HIMARS; raketa me shpejtësi të lartë të projektuara për të mos u interceptuar nga radarët, granatahedhëse; automjete të blinduara mjekësore; pajisje që mundësojnë shikim natën e të tjera.