Shtatori identifikohet gjithmonë me fillimin e shkollës ose kopshtit dhe për prindërit me fëmijët, kjo situatë ndonjëherë mund të sjellë stres. Ndikimi i sjelljes prindërore tek fëmija është më i madh nga ç’mund ta imagjiononi, prandaj duhet të keni shumë kujdes me sjelljen tuaj. Duke marrë parasysh fuqinë që ka shembulli i prindit tek fëmija, mund ta përdorni atë për të ndikuar pozitivisht në përvojat mësimore të fëmijës, përmes disa praktikave të thjeshta.
Nëse doni që fëmija juaj “të shkëlqejë” me rezultatet në shkollë, ndiqni këto praktika:
Përcaktoni orare standarte
Vendosni limite kohore të përbashkëta me fëmijët tuaj. Për shembull secili duhet të mbarojë detyrat përkatëse në një orë të caktuar, në mënyrë që pasdite të dilni për një pije bashkë, ose të hani diçka. Duke parë që ju jeni të rregullt me oraret, fëmija merr një shembull sesi duhet të veprojë edhe ai/ajo.
Mos lejoni teknologjinë t’ju kontrollojë
Të gjithëve na ndodh të shpërqëndrohemi nga rrjetet sociale ndërkohë që duhet të merremi me një punë tjetër. Kujdes të mos e bëni këtë gjë në prani të fëmijës, sepse i jepni shembull jo të mirë.
Tregohuni të organizuar
Bëjini punët me radhë, duke i kushtuar secilës vëmendjen dhe kohën e duhur, mos u hallakatni duke humbur kohën me gjëra të parëndësishme. Sa më sistematikë të jeni ju, aq më të prirur do të jenë edhe fëmijët t’ju ndjekin.