Ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch ka deklaruar se gjithnjë ka qenë kundër krijimit të Gjykatës Speciale dhe se është e çuditshme se si po vazhdohet me këtë gjykatë kur arsyeja kryesore e trafikimit të organeve nuk ekziston.
Bosch thekson se kjo gjykatë duhet të jetë një shembull dhe të mos mbahen në paraburgim njerëzit për një kohë kaq të gjatë pa asnjë aktakuzë. Ai flet edhe për iniciativën kundër kësaj gjykate të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Ramës në Këshillit të Evropës, por druan se do të dështojë.
“Gjykata Speciale, edhe pse nuk mund ta thosha atëherë, meqë përfaqësoja qeverinë holandeze, kam qenë gjithnjë kundër saj. Natyrisht, kjo Gjykatë Speciale është krijuar bazuar në trafikimin e organeve, gjë që në këtë rast do të ishte e tmerrshme, sikur ky të ishte rasti, porse raporti i Williamsonit thotë se ky nuk ishte rasti. Prandaj është e çuditshme se si u vazhdua me këtë gjykatë, meqë evropianët po paguajnë para të majme për këtë.
Dhe, ndoshta krimet edhe kanë ndodhur, porse krimet ndodhin gjithandej nëpër botë ku ka konflikte, megjithatë për to nuk ka Gjykata Speciale për secilin vend. Më e keqja çka kemi parë ka qenë ISIS. A ka ndonjë Gjykatë Speciale për ISIS? Krimet që janë kryer aty kanë qenë krimet më të tmerrshme që unë mund t’i imagjinoj. Prandaj, unë nuk e di pse kjo gjykatë-kjo gjykatë shumë e shtrenjtë, është akoma e nevojshme kur arsyeja kryesore e trafikimit të organeve nuk ekziston”, tha ai.