Drejtori i ri i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku e ka nisur nga Durrësi turnin e takimeve në drejtoritë e qarqeve.
Gjatë takimit me strukturat, ai u la tre porosi duke kërkuar përmirësim të menjëhershëm të cilësisë së rezultateve të seksioneve për Hetimin e Krimit Ekonomik, për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme dhe të atij për Krimet e Rënda.
“Punoni në bazë të informacioneve, bashkëpunoni me qytetarët, me agjencitë e tjera ligjzbatuese dhe godisni aty ku është problemi. Luftoni krimin e organizuar dhe çdo paligjshmëri tjetër që konstatohet në terren.
Lokalizoni dhe kapni personat në kërkim, ata që qarkullojnë me armë zjarri ose lëndë narkotike.
Monitoroni dhe mbani nën kontroll personat me tendencë kriminale në fushat e krimit të organizuar dhe krimeve të rënda.
Është bërë një punë e mirë parandaluese në terren, për uljen e kultivimit të bimëve narkotike në territorin e qarkut Durrës, por duhet bërë më shumë për të luftuar tentativat e kultivimit në ambiente të mbyllura.
Shërbimet e Policisë në terren duhet të rritin performancën në drejtim të komunikimit me qytetarët apo të ndjekjes dhe zgjidhjes së problematikave që kanë apo adresojnë qytetarët. Shefat e sektorëve të kontrollojnë dhe të instruktojnë strukturat përkatëse në varësi” tha ai.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit kërkoi nga strukturat që të rritet autoriteti, roli dhe forca parandaluese e goditëse e Policisë Kufitare në port. Të luftohen krimet ndërkufitare, duke bashkëpunuar me strukturat e Policisë vendore dhe autoritetet doganore.
Takimet do të vijojnë, me të gjitha strukturat e Policisë në mbarë vendin.