Ka mbërritur në pallatin e Holyroodhouse trupi i Mbreëtreshës Elizabeth II, ku do të qëndrojnë për një natë, përpara se të dërgohet në Wesminster Abbey në Londër, ku edhe do të zhvillohen homazhet zyrtare, në katër ditët e planifikuara për to.
Me një trupë nderi të veshur me kiltet tradicionale skoceze, arkivoli i Mbretëreshës është pritur me ceremoni zyrtare në kështjellën më të rëndësishme të Skocisë, për kurorën britanike.
Mijëra qytetarë janë dergjur në rrugët e Edinburgh-ut për ta duartrokitur kalimin e autokolonës përcjellëse për madhërinë e saj.
Të gjithë, ashtu si duket edhe në pamjet e para të ardhura nga kryeqyteti skocez, kanë dashur ta përjetësojnë çastin, duke fotografuar e regjistruar kalimin madhështor, të cilin për herë të parë po e dëshmojnë pas 70 vjetësh, për një monark britanik.
Mbreti i ri, Charles III, ishte i vetmi ndër fëmijët e monarkes, jo i pranishëm në pritje, duke qenë se po kryen detyrat shtetërore në Londër dhe do ta presë atje, ditën e nesërme, arkëmortin e Mbretëreshës.
Princesha Anne, Princi Andrew dhe ai Edward, tre fëmijët e tjetër të Elizabeth II, gjendeshin në hyrje të pallatit mbretëror, të veshur me të zeza, në nderim të nënës së tyre.
Kortezhi me njerëz pati filluar që në hyrje të Edinburgh-ut, por më së shumti, njerëzit, janë mbledhur rrugëve të qytetit.
Përgjatë gjithë aksit rrugor, nga Balmoran deri në Edinburgh, në qytezat ku arkëmorti kaloi, mijëra qytetarë ishin mbledhur për të nderuar (ndoshta për të fundit herë), monarken karizmatike, e cila mbretëroi për shtatë dekada.
Varrimi i saj ndërkaq, është vendosur të kryhet më 19 shtator, pas katër ditëve të homazheve të hapura, të cilat do të mbahen në nder të saj.