Në shënim të 10- vjetorit të përfundimit të mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës, kryeministri Albin Kurti, priti në takim ish- Përfaqësuesin Civil Ndërkombëtar për Kosovën dhe ish -Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian, Pieter Feith.
Gjatë takimit rikujtuan 10 shtatorin e vitit 2012, kur Grupi Drejtues Ndërkombëtar shpalli përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës.
“Sot jemi mbledhur të festojmë 10-vjetorin e kësaj ngjarjeje më të re të historisë sonë, momentin një eveniment që shënon edhe fundin e një ere dhe fillimin e një tjetre, momentin kur Kosova u bë e lirë, sovrane dhe plotësisht një shtet i pavarur. Para 10 vjetësh, Republika e Kosovës ishte vetëm katër vjeçe. Pas 10 vjetësh, Republika e Kosovës është më e fortë se asnjëherë më parë”.
“Tani jemi shteti më demokratik i Ballkanit Perëndimor. Vetëm vitet e kaluara jemi përmirësuar për 17 vende në Transparency International dhe shtatë vende në Raportuesit pa Kufij. Jemi të parët në rajon sipas projektit të drejtësisë për sundimin e ligjit. Mbi dy mijë persona janë arrestuar, përfshirë 300 zyrtarë publikë. Kemi zhbërë 74 grupe kriminale dhe kemi konfiskuar 1.5 ton narkotikë”, ka thënë Kurti.
Duke e falënderuar për kontributin e tij dhënë për vendin tonë, Kurti e falënderoi për prezencën e tij në shënimin e këtij përvjetori.
Kryeministri e njoftoi me të arriturat e gjithmbarshme të Kosovës.
Feith e falënderoi kryeministrin dhe tha se ndjehet i nderuar nga ftesa për të qenë prezent në këtë përvjetor, duke rikujtuar se roli i Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar ka qenë i dobishëm dhe i ka ndihmuar Kosovës në përmbylljen me sukses të mbikëqyrjes së pavarësisë, si dhe në krijimin e bazës kushtetuese për funksionimin normal të shtetit të ri./Kosovapress