Ish-deputetja, Rudina Hajdari gjatë një takimi në qytetin e Studentit, për figurën dhe kontributin Azem Hajdari ka kujtuar me nostalgji dhe emocion ditët që ajo ka kaluar me të atin, duke përmendur këtu dhe plagosjen e tij në parlament.
Po ashtu ajo ka kujtuar dhe truprojën e Hajdarit, Besim Çerën, ajo ka treguar se familja e saj kishin një lidhje të veçantë me Çerën, dhe konsiderohej si pjesë e rrethit të tyre të ngushtë.
“Babi më merrte përherë nga shkolla, një ditë ai nuk erdhi, por ishte një makinë. Hyra në makinë dhe prapa sediljeve pash një këmishë të gjakosur. Më vonë mora vesh që babin e kishin plagosur në Parlament. Më pas shkova e vizitova, kur ai më pa, mes dhimbjesh, gjëja e parë që më tha ishte “Hë Rudina çfarë notash more sot?”.
Pyesja veten sesi ky njeri në atë gjendje po më pyeste për shkollën. Në fakt ky ishte Azemi, ai kujdesej për të gjithë me dëshirën më të madhe,” është shprehur ajo.