Presidenti i Republikës, Bajram Begaj po merr pjesë në takimin e liderëve të Procesit të Brdo-Brijunit.
Ky ka qenë takimi i parë i Begajt me presidentët e vendeve të rajonit, mes tyre Aleksandër Vuçiçin e Serbisë. Ai kishte një kritikë për homologun serb.
“Kudo të respektohen pakicat dhe të ndërpriten veprimet që tentojnë të shpopullojnë rajone të tëra. Siç është procesi i “pasivizimit të adresave”, që po ndodh në zonën e Preshevës” tha ai.
Begaj preku edhe temën e sulmeve kibernetike nga Irani. “Para disa javësh, dhe sërish dy ditë më parë, Shqipëria ishte nën sulme të rënda kibernetike.
Të kryera nga aktorë të lidhur me shtetin iranian. Sulmet kishin nën shënjestër të dhënat e qeverisë, sistemet e sigurisë kufitare dhe ndërprenë shërbimet qeveritare digjitale për një farë kohe.
Kjo ishte goditja e fundit e një liste arsyesh, përse Shqipëria ndërmori veprimin ekstrem të ndërprerjes së marrëdhënieve diplomatike me Iranin.
Një aktivitet i tillë malinj është dëshmi e padiskutueshme dhe e bazuar në faktet e lojës së keqe të aktorëve të tretë në rajon” tha ai.
Gjatë fjalës së tij, Begaj u shpreh se zgjerimi i BE me vendet e Ballkanit Perëndimor tashmë është një çështje gjeostrategjike për sigurinë dhe paqen
“Europianizimi i Ballkanit Perëndimor kërcënohet seriozisht nga aktorë të tretë. Lufta në Ukrainë, pikë kthese për qasjen e BE-së ndaj integrimit të Ballkanit Perëndimor.
Lufta në Ukrainë po riformëson skenën ndërkombëtare gjeo-politike dhe gjeo-ekonomike.
Shqipëria nuk preket nga ndërprerja e furnizimit me gazin rus. Por në mënyrë indirekte, kemi vënë re një rritje të çmimeve të energjisë, situatë mjaft të rënduar për ekonominë tonë dhe familjet shqiptare.” tha ai.