Një tjetër ngjarje e rëndë është raportuar në Kosovë, ku një e mitur dyshohet të jetë përdhunuar në komunën e Istogut.
Lajmi është konfirmuar për mediat nga zëdhënësi i policisë së Pejës, Fadil Gashi. Ai ka bërë të ditur se rasti ka ndodhur më 09 gusht 2022, ndërsa viktima për shkak të frikës nuk e kishte ka raportuar rastin deri dje në polici.
“Rasti ka ndodhur para një muaji më 09 gusht 2022, viktima nuk e ka raportuar rastin për shkak të frikës. Hetuesit po e trajtojnë rastin dhe të dyshuarit i është caktua masa e ndalimit për 48 orë”, ka thënë Gashi.
Telegrafi ka dërguar pyetje edhe në Prokurorinë e Pejës, dhe është në pritje të përgjigjes.
Kujtojmë se javë më parë u zbulua rasti i tmerrshëm të dhunimit të një 11-vjeçareje në Prishtinë, e cila dyshohet se u dhunua nga pesë persona në muajin gusht, dhe gjashtë persona të tjerë në muajin qershor.
Numri i rasteve të dhunës seksuale në Kosovë mbetet i lartë dhe kjo vazhdon të jetë shqetësuese. Vetëm në shtatë mujorin e parë të këtij viti në Policinë e Kosovës janë raportuar 41 raste të dhunimit.