Një vajzë 4-vjeçare siriane, humbi jetën nga etja në një varkë të bllokuar prej ditësh në mes të Mesdheut.
Vajza e vogël ishte larguar nga Libani për në Evropë me prindërit dhe motrën e saj një vjeç e gjysmë.
Lajmi raportohet nga mediat italiane të cilat citojnë aktivistin Naëal Soufi, i cili ishte i pranishëm në operacionin e shpëtimit.
“E qara e saj e pangushëllueshme do të kishte lëvizur edhe gurët.
A e keni idenë se çfarë do të thotë për një prind të shohë një vajzë të vdesë në këtë mënyrë mizore?”, ka komentuar babai i saj, Ahmad Adbelkafi Nasif.
Familjarët, refugjatë sirianë në Liban që ëndërronin një jetë të re në Itali, ishin në një varkë me 60 persona të tjerë.
“Anija ishte në zonën Sar (Search and rescue) “Kërkim dhe shpëtim” të Maltës, shpjegon aktivisti, i cili njoftoi SOS dhe autoritetet e Valettës.
“Pas një dite heshtjeje më thanë se po afrohej një anije: “Shpëtimi është vetëm çështje kohe”, më thanë”. Por kjo nuk ndodhi. “E zbrazëm skafin me kova, dukej qartë se ishim të mbytur”, thotë Nasif.
Pas rreth 10 ditësh, varka mori ndihmë nga një anije mallrash që mbante flamurin e Antigua dhe Barbuda.
Për 4-vjeçaren me emrin Loujin nuk mund të bëhej asgjë. Motra e saj më e vogël është e shtruar në spital pasi kishte gëlltitur sasi të mëdha uji të kripur në përpjekje për të shuar etjen e saj, por ajo nuk është në rrezik për jetën.