Gjatë muajve të fundit, shëndeti i presidentit rus Vladimir Putin ka qenë subjekt i shumë spekulimeve, me pretendime se ai vuante nga kanceri, Parkinson, apo edhe se i mbijetoi një atentati.
Por deri më tani, nuk është vërtetuar asgjë.
“Ai mund të qëndrojë në pushtet për 10 vite ose më shumë nëse dëshiron, kjo varet vërtet nga rrethanat,” tha analistja e politikës Tatiana Stanovaya për Al Jazeera. “Unë nuk do t’i kushtoja shumë vëmendje problemit të shëndetit të tij.”
Nëse 69-vjeçari vdes ose largohet papritur nga detyra, Këshilli i Federatës ka 14 ditë për të shpallur zgjedhjet presidenciale, dhe nëse nuk i bën, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do ta bëjë këtë.
Ndërkohë, kryeministri Mikhail Mishustin do të merrte detyrën e presidentit. Megjithatë, Mishustin nuk shihet si i afërt me Putinin dhe as një kandidat i besueshëm.
Në vend të kësaj, Stanovaya beson se largimi i Putinit do të lërë një boshllëk midis interesave të biznesit, zyrtarëve të sigurisë si ministri i Mbrojtjes Sergej Shoigu dhe fraksioneve të tjera të elitës, raporton abcnews.al.
“Nëse nesër i ndodh diçka, besoj se sistemi do të mbijetonte; Është ende i fortë,” tha Stanovaya.
“Forcat konservatore, siloviki [zyrtarët e sigurisë] do të marrin në dorë situatën politike. Por nëse diçka i ndodh Putinit më vonë – një vit ose më shumë në këtë rast, rreziqet e destabilizimit janë shumë më të larta.