Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, e ka cilësuar kryeministrin Albin Kurti një pushtetar i cili qeverisë si një pronar kompanie.
Kurti, sipas deputetit të PDK-së, po të ishte një burrështetas i cili e sheh pushtetin si një marrëdhënie ndërmjet Qeverisë dhe të qeverisurit, atëherë marrëveshja në mes të grevistëve dhe ekzekutivit do të arrihej sot.
“Sot është dashur të ketë marrëveshje, sepse dëmin e mosmarrëveshjes e kemi parë tashmë e 13 ditë. Por, marrëveshje nuk ka as sot sepse nuk mund të ketë rezultat kur nuk ka konsideratë e as vullnet për të gjetur zgjidhje. Ndërsa familjeve, prindërve, e më së shumti fëmijëve, ju duhet zgjidhja e jo bllokada”, ka shkruar ai në rrjetin e tij social në Facebook.
Sipas Krasniqit, Kurti duhet të ofrojë një lloj kompromisi ndaj grevistëve e të mos mbaj inat ndaj tyre.
“Sepse mësimdhënësit e kanë zgjedhur Rrahman Jasharin, por qytetarët të kanë zgjedhur ty. Sot, janë qytetarët dhe fëmijët tanë, ata që janë më të dëmtuarit nga varësia jote për t’u treguar i fortë përballë sindikalistëve”.
Për Krasniqi, Kurti nuk duhet të jetë vëlla me askënd, por kryeministër i përgjegjshëm për të gjithë.
“Fëmijët duhet të kthehen në shkollë me urgjencë! Nuk ka përgjegjësi më të madhe sot dhe as agjendë më të rëndësishme për ty si kryeministër i vendit, sesa ta rimendosh e të veprosh siç kërkon arsyeja e shëndoshë, që nesër nxënësit e mësimdhënësit të nisin rrugëtimin e vitit të ri shkollor”.
Greva e punëtorëve të sektorit publik në Kosovë do të vazhdojë, sepse as pas takimit të Këshillit Grevist me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, palët nuk kanë arritur dakordim.