Psikologia Terri Apter kujton kohën kur i shpjegoi një 18-vjeçari se si funksionon truri në adoleshencë.
“Kjo qenka arsyeja pse më duket sikur po më shpërthen koka”, ia ktheu djali.
Vitet e adoleshencës mund të ndjehen si një transformim tronditës.
Ndodhin ndryshimet e vështira hormonale që duhen kontrolluar, krizat e identitetit dhe uria për miratim shoqëror, një shije e re për rrezikun dhe aventurën dhe një paaftësi në dukje e plotë për të menduar për pasojat e ardhshme të veprimeve.
Në mes të këtij konfuzioni, adoleshentët vlerësohen vazhdimisht për potencialin e tyre akademik por një rekord i patëmetë i shkollës do ta bëjë shumë më të lehtë gjetjen e një vendi në një universitet prestigjioz, i cili nga ana tjetër do të zgjerojë mundësitë për punësim.
Megjithatë, luhatjet emocionale të atyre viteve mund ta bëjë jashtëzakonisht të vështirë për adoleshentët arritjen e potencialit të tyre intelektual.
Vetëm brenda dy dekadave të fundit shkencëtarët kanë qenë në gjendje të përshkruajnë ndryshimet nervore përgjatë kësaj periudhe thelbësore të zhvillimit.
Njohuritë e reja tregojnë se disa nga tiparet që të rriturit priren t’i kenë të vështira ose turbulluese te adoleshentët mund të shndërrohen në forcë dhe të përdoren për të fituar aftësi dhe njohuri në një kohë kur truri është ende i lakueshëm.
Adoleshenca është gjithashtu një kohë kërcimesh të ndryshme njohëse.
Adoleshentët ndërtojnë bazat që kishin mësuar si fëmijë të vegjël për të zhvilluar mënyra të sofistikuara dhe të pjekura të të menduarit, duke përfshirë arsyetimin më abstrakt.
Nuk është çudi që shumë adoleshentë, gjatë historisë, janë ankuar se janë ndjerë të keqkuptuar.