Funerali i Mbretëreshës Elizabeth II, më 19 shtator, do të jetë një nga ngjarjet më të mëdha të organizuara, dekadat e fundit, në Mbretërinë e Bashkuar.
Ftesat tashmë janë planifikuar dhe pritet që rreth 500 krerë shtetesh e personalitetesh të marrin pjesë. Ceremonia do të mbahet në Westminster Abbey, që ka një kapacitet për rreth 2200 njerëz.
Por kush do të jetë i pranishëm dhe kush nuk ka marrë ftesë për të qenë në funeral?
Familjet mbretërore europiane
Pjesëmarrës në funeral priten të jenë anëtarë të familjeve mbretërore nga e gjithë Europa, shumë prej të cilëve kanë dhe lidhje gjaku me Mbretëreshën.
Mbreti Philippe i Belgjikës dhe Mbretëresha Mathilde kanë konfirmuar se do të jenë atje, po ashtu edhe Mbreti holandez, Willem-Alexander me gruan dhe nënën e tij, ish-mbretëresha holandeze, Beatrix.
Presidentët e SHBA-së
Shtëpia e Bardhë ka konfirmuar se presidenti Joe Biden do të marrë pjesë, së bashku me Zonjën e Parë, Jill Biden.
Udhëheqësit e Komonuelthit
Pritet të marrin pjesë edhe liderë nga i gjithë Komonuelthi; Kryeministri australian, Anthony Albanese; Kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern; Kryeministri kanadez, Justin Trudeau etj.
Gjithashtu, guvernatorët që shërbejnë si përfaqësues të monarkisë, pritet të marrin pjesë me udhëheqësit e vendeve të tyre.
Liderë të tjerë botërorë
Udhëheqës të tjerë botërorë që thuhet se kanë pranuar ftesat janë: Kryeministri irlandez, Micheal Martin; Presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier; Presidentin italian, Sergio Mattarella; Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen; Presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk-Yeol; si dhe Presidenti brazilian, Jair Bolsonaro.
Pjesë e funeralit pritet të jetë edhe Perandori japonez, Naruhito; Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, si dhe Presidenti francez, Emmanuel Macron.
Të paftuar
Asnjë përfaqësues nga Rusia, Bjellorusia apo Mjanmari nuk është i ftuar të marrë pjesë në funeralin e Elizabeth II.
Marrëdhëniet diplomatike midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Rusisë janë shembur që nga pushtimi rus i Ukrainës. /BBC