Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku dhe ministrja e Arsimit Evis Kushi, morën pjesë ditën e sotme në inaugurimin e shkollës Lasgush Poradeci.
Problemi i energjisë elektrike dhe kursimi i saj është kthyer në një shqetësim ndërkombëtar. Balluku nuk mund ta linte pa e prekur këtë temë dhe me nxënësit e shkollës fillore, duke iu mësuar këtyre të fundit disa “truke” sesi të kursejnë energji.
Por jo vetëm kaq, ajo kërkoi që kursimi i energjisë të vendosej në kurrikulën e shkollës si lëndë mësimore, e madje nxënësit duhet ta mësojnë këtë bashkë me prindërit.
“Informacione t’i ndajmë me ju që mbase mund të keni edhe një orë kurrikule që të mësoni për energjinë, është e nevojshme për jetën e çdo personi në planet. Do kërkojmë që të ktheheni në zëdhënësit e kursimit të energjisë elektrike.
Mund të vendosni një administrator për të kursyer energjinë. Edhe karikuesi në prizë shpenzon energji. Këto këshilla që do të merrni sot, t’ua mësoni edhe prindërve”, u shpreh Balluku.
Mesa duket vetë ministrja, tejet e shqetësuar për sektorin që mbulon ka harruar se, cilat janë lëndët që fëmijëve iu mësohen në shkolla. Prej vitesh ata bëjnë lëndën e “Edukatës Shoqërore” nga klasa e parë deri në të nëntën dhe më pas lëndës “Qytetari” përgjatë ciklit parauniversitar, dhe po në këtë kurrikulë mësojnë sesi të kursejnë jo vetëm energji, por dhe uji.
Në fakt këtu duhet të kishte ndërhyrë ministrja Kushi dhe të sqaronte këtë çështje, por kjo e fundi thjesht heshti.