Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka kërkuar që të mbahen larg kërcënimet nga Ballkani.
Deklarata e tij vjen në një intervistë për gazetën e njohur austriake ”Die Presse”.
Aty Rama, është shprehur i shqetësuar për ndikimin rus në rajon, por kërkon mirëkuptim për mosvendosjen e sanksioneve nga ana e Serbisë.
“Ne duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për të mbajtur kërcënimin e mundshëm jashtë Ballkanit. Prandaj, nuk duhet të ushtrohet më presion ndaj Serbisë për të vendosur sanksione ndaj Rusisë”.
Për kryeministrin e vendit, sanksione të tilla nuk janë të mundshme, sepse pa Rusinë Serbia nuk mund të mbijetojë.
“Për më tepër, qeveria dhe presidenti Aleksandar Vuçiç nuk do t’i mbijetonin politikisht sanksioneve kundër Rusisë”.
Duke folur për rajonin Rama theksoi se ky i fundit ka nevojë për lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave dhe shërbimeve ndërmjet vendeve.
“Të gjithë ne në Ballkanin Perëndimor jemi tregje shumë të vogla. Prandaj, izolimi i mëtejshëm është shumë i pafavorshëm ekonomikisht për shtetet tona”.
Sa i takon anëtarësimit në BE, kryeministri shqiptar tha se është shumë e vështirë të parashikohet progresi i mundshëm në bisedimet e pranimit.
“Do të na duhen vite për të bërë rrugëtimin drejt BE-së. Por, qasja konstruktive e BE-së ndaj zgjerimit në Ballkanin Perëndimor është gjithashtu shumë e rëndësishme”.