Sali Berisha pretendonte se më 14 shtator të vitit të largët 1998, ish-kryeministri i asaj kohe, Fatos Nano, u arratis drejt Maqedonisë.
Sipas Berishës, ai i shpëtoi protestuesve të egërsua që u futën në kryeministri duke u veshur si grua.
Ndërkohë, për këtë ngjarje, ka shkruar edhe historiani amerikan Fred Abrahams, në librin e tij për Shqipërinë.
Pjesët e librit janë zbardhur nga gazeta Dita. “Një turmë përkrahësish të PD-së marshoi te Ministria e Brendshme.
Njerëz shtinë me armë në ajër, gjuajtën me gurë dhe i vunë zjarrin një makine. Një demonstrues u vra dhe katër policë u plagosën.
Protestuesit vazhduan gjatë bulevardit, drejt zyrës së Nanos. Qeveria po bënte një mbledhje urgjente në kat të dytë, kur mbërriti turma e hazdisur.
Ministri i Brendshëm, Perikli Teta, po paraqiste një raport. Gurët thyen xhamin e dritares pas tij, duke ia çuar në kurriz ciflat e xhamit.
“Po e ndërpresim mbledhjen për t’u marrë me situatën”, kujton Teta, fjalët e Fatos Nanos.
Rojet qëlluan në ajër, teksa Nanoja dhe ministrat e tij dolën me shpejtësi. Disa shkuan në Hotel Rogner aty pranë dhe të tjerët në zyrat e tyre nëpër ministri.
Teta u kthye në Ministrinë e Brendshme, ku do të kalonte natën për dy javët e ardhshme.
Se çfarë bëri Fatos Nano pas atij momenti mbeti çështje debati. Sipas disa anëtarëve të qeverisë, ai u arratis në Maqedoni. Duket se ai shkoi me makinë deri afër kufirit.
Sipas shefit të SHIK-ut, Fatos Klosi, Nano kërkoi ndihmë nga një mik nga Durrësi dhe ai e strehoi në një fshat në kufi me Maqedoninë.
Vetë Nano e preku këtë çështje pas 12 vitesh në një intervistë televizive. Duke thënë se e kishte kaluar natën në një rezidencë qeveritare pranë kufirit me Maqedoninë.
“Vendimi i marrë nga grupi im i shoqërimit dhe është i justifikueshëm në kushte emergjence të mosfunksionimit të shumë strukturave mbështetëse”, – tha ai.