Ambasada amerikane në Tiranë njoftoi sot se agjenti special i strukturës amerikane anti-drogë, DEA, ka mbërritur në Shqipëri. Ai është pritur në ambasadën amerikane nga ambasadorja Yuri Kim.
Agjenti special Brendan Leddy dhe ekipi i DEA-s amerikane do të bashkëpunojnë me SPAK për të forcuar bashkëpunimin në operacionet kundër trafikut ndërkombëtar të drogës dhe krimit të organizuar.
“Ambasada e SHBA ka kënaqësinë të mirëpresë në Shqipëri agjentin special të Administratës së Zbatimit Ligjor kundër Narkotikëve (DEA), Brendan Leddy.
Ambasadorja Kim u takua me agjentin special Leddy për ta mirëpritur atë në ekip dhe për të diskutuar të ardhmen e pranisë së DEA-s në Shqipëri.
Agjenti Special Leddy do të mbështesë më tej ndërtimin e aftësive në teknikat e hetimit kundër narkotikëve”, thuhet në njoftimin e ambasadës amerikane në Tiranë.
Lajmi për arritjen e agjentit vjen një ditë pas artikullit të mediave meksikane për katër vëllezër shqiptarë që kanë pastruar paratë e pista një njërit prej bosëve të krimit.
Mediat meksikane shkruan dje se tentakulat e karteleve meksikane kanë mbërritur tashmë në vendet ballkanike të Evropës Lindore.
Autoritetet e inteligjencës të qeverisë federale zbuluan se fjala është për Ismael Zambada García, i njohur ndryshe si “El Mayo”. Në veçanti, ata “zbuluan se El Mayo kishte krijuar lidhje me vëllezërit Luftar, Arben, Fatos dhe Ramiz Hysa” thuhet në artikullin e medias meksikane.