Sekretari i përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi kërkon nga qeveria që të bëjë transparencë për naftën kontrabande nga Libia, qe u kap ne portin e Durrësit.
“Kanë kaluar më shumë katër ditë që kur Policia e Shtetit kapi një anije me 2 275 ton naftë kontrabandë në portin e Durrësit.
Skandali bëhet edhe më i rëndë në rrethanat kur Shqipëria është vend anëtar i NATO-s dhe anëtar i Këshillit të Sigurimit të OKB, të cilin edhe e ka drejtuar.
E informuar që 48 orë më parë nga agjencitë partnere për mbërritjen e anijes, përse u lejua futja e saj në ujrat territoriale shqiptare?
Kush ishte porositësi apo porositësit e kësaj sasie të madhe nafte, që më pas rezultoi se ishte kontrabandë?
Cila ishte agjencia doganore që do të kryente procedurat për ankorimin e anijes deri në shkarkimin e saj në depozitat e naftës në Porto Romano?
Përse Policia e Shtetit derimë tani ka arrestuar vetëm libianët dhe sirianët që shërbenin në anije dhe askënd tjetër nga ata që e kanë porositur ngarkesën duke i dhënë garanci të marrë detin për ditë të tëra nga Libia në Durrës?
Është e qartë pra se ka patur një arsye shumë të fortë për kompaninë shqiptare të kthejë kësaj here mbrapsht, në momentin e fundit, ngarkesën, që në total vlerësohet të kapë një vlerë rreth 4.2 milion dollarë.
Kush e dekonspiroi paralajmërimin e shërbimeve partnere dhe në këmbim të çfarë?” tha ai.