Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Muhamet Rrumbullaku ka takuar ambasadorin gjerman, Peter Zingraf.
Ai i ka shprehur ambasadorit se është i hapur për strategji të reja që të ndryshojë policinë e shtetit, mbi të gjitha ti largojë ata nga krimi dhe korrupsioni.
“Jam i vendosur për ta ndryshuar vizionin dhe metodologjinë e punës së strukturave policore, me qëllim vendosjen e një standardi të ri në raport me qytetarët, me partnerët dhe në luftën ndaj krimit të organizuar. Po krijojmë mekanizma të menaxhimit të burimeve njerëzore, me qëllim eliminimin e abuzivitetit dhe arbitraritetit, për t’i dhënë strukturave policore mundësinë e drejtimit nga njerëz profesionistë dhe të ndershëm, çka do të sjellë ndryshimin e impaktit në publik, sepse jam i bindur se perceptimet dhe impaktet ndryshohen me punë e rezultate dhe jo me emra,” është shprehur ai.
Nga ana tjetër ka kërkuar mbështetjen e BKA-në dhe Policinë Federale të Gjermanisë, në mënyrë që ta ndihmojnë në rrugën e profesionalizimin me policinë shqiptare.
“Forcimi i marrëdhënieve me partnerët, konkretisht me BKA-në dhe Policinë Federale të Gjermanisë do të thellohet akoma më shumë, duke patur në themel besimin reciprok, profesionalizmin dhe përkushtimin për të luftuar pa kompromis fenomenet kriminale që janë kërcënim global,” ka përfunduar ai.