Një shqetësim i madh dhe real ka ardhur nga mijëra përdorues të telefonëve inteligjentë nga kompania Apple, iPhone, pas problemeve që kanë hasur me kamerat kryesore të pajisjeve, në modelet “pro”.
Sipas mijëra përdoruesve, një zhurmë kërcitëse ndodh në çastin kur kamera vihet në përdorim nga aplikacioni Tik Tok dhe imazhi shfaqet tejet i trazuar, pa qartësi dhe i turbullt.
Nuk dihet ende ndërkaq nëse e njëjta gjë ndodh edhe kur kamera vihet në përdorim nga aplikacione të tjera, apo edhe nga vetë funksioni në telefon.
Fillimisht, ishin të paktë njerëzit, të cilin kishin pasur ankesa në qarkullimet e para të telefonit, por me daljen e disa videove në Tik Tok, ku shfaqej problemi, fjala mori dhenë dhe të gjithë filluan të publikonin problemin e tyre.
Çështja u bë menjëherë virale në median sociale më të përdorur të vitit të fundit, duke u kthyer edhe në efekt meme për kompaninë amerikane, e cila ende nuk ka dalë me një qëndrim të qartë sa i përket problemit.
Sipas një eksperti të fushës, i cili e kishte hasur problemin ndërkohë, gjithçka ka të bëjë me stabilizimin e imazhit, i cili nuk kuptohet se pse dridhet kur kamera përdoret në Tik Tok.
Do të jetë ky një skenar “Samsung” i viteve të shkuara për Apple, ku do të detyrohet të tërheqë pajisje nga tregu? Apo thjesht një mosfunksionim i duhur i software-ve të kompanisë me platformën Tik Tok?
Mbetet kjo për t’u parë në zhvillimet e mëtejshme në rrjet.