400 efektivë policie shkatërruan dy banda të fuqishme që kultivonin dhe trafikonin drogë në Spanjë dhe Itali. Tre ditë më parë u krye operacioni i fundit. Në pranga shkuan 32 persona; italianë, shqiptarë dhe hungarezë.
Sot kanë dalë detaje të reja nga hetimet. Organizata italiane ishte e lidhur me ‘Ndragheta’-n. Ibiza, Malaga, Barcelona dhe Tenerife ishin vendet ku kishin shtrirë aktivitetin bandat.
Nga operacioni u sekuestruan sasi të konsiderueshme substancash narkotike, armë zjarri, para cash dhe dokumente që mund të vërtetojnë pastrimin e parave nga aktivitetet kriminale.
Dy bandat kishin futur në treg kokainë dhe lloje të tjera dhe vlera e të cilave arrinte në 4.1 milionë Euro. Po ashtu janë sekuestruar pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme me vlerë 22 milionë Euro.
Nga operacioni u sekuestruan ora luksoze Rolex dhe Cartier, bizhuteri, dokumente bankare, dokumente false identiteti, celularë, karta usb, tableta dhe pajisje të tjera elektronike.