Ish-presidenti Ilir Meta kërkoi sot dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama pas daljes së informacioneve sekrete nga e-maili i Gledis Nanos pas hakerimit.
“Vetëm dorëheqja e Ramës mund të vendosë besimin e qytetarëve te institucionet. Ai tha patronazhistët po bëjnë një punë të mirë. Ai mbrojti hakerimin e parë. Prandaj vetëm dorëheqja e tij mund të vendosë besimin te siguria kombëtare dhe publike” tha ai.
Pak ditë më parë në Shqipëri erdhi një agjent i DEA-s. Njëri nga gazetarët e pyeti zotin Meta nëse ka informacion nëse harta e punës së DEA-s në Shqipëri do të shtrihet deri në nivelet politike. Meta buzëqeshi dhe fokusin e bisedës së tij e vendosi te trafiku i drogës.
“Tani sipas të gjitha të dhënave, i bie që DEA një nga qendrat ta kishte në Shqipëri po ti referohemi volumit të trafikut që qarkullon. Lufta kundër drogës ka qenë një prioritet prej 10 vitesh ka mbetur në vend. Bëhen goditje për statistika ose për shkak të përkushtimit të partnerëve. Lufta kundër drogës nuk është prioritet për këtë qeveri” tha ai.