Udhëheqësja e opozitës bjelloruse Sviatlana Tsikhanouskaya po merr pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara të këtij viti si anëtare e delegacionit të një vendi evropian të paidentifikuar.
Në një intervistë ekskluzive për Zërin e Amerikës, ajo tha se Bjellorusia nuk duhet të shihet si një “shtojcë e Rusisë”, edhe pse “Vladimir Putini dëshiron ta kthejë atë në epokën sovjetike”.
Udhëheqësja e opozitës bjelloruse Sviatlana Tsikhanouskaya njihet në skenën politike globale. Por, kjo është vizita e saj e parë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.
“Unë po përfaqësoj këtu bjellorusët që po luftojnë kundër diktatorit në vendin tonë”, tha ajo për Zërin e Amerikës.
Ajo mund të mos përfaqësojë qeverinë aktuale, por ka një histori të rëndësishme për të treguar në lidhje me Bjellorusinë.
“Mos bëni shenja barazimi në mes të regjimit [Lukashenko] dhe popullit bjellorus”, tha zonja Tsikhanouskaya.
Zonja Tsikhanouskaya nuk dëshiron që bota demokratike të mendojë keq për bashkatdhetarët e saj për shkak të veprimeve të presidentit të Bjellorusisë Alexander Lukashenko.
Ky i fundit është aleat i presidentit rus Vladimir Putin pasi lejoi forcat ruse të përdorin territorin e Bjellorusisë për të sulmuar Ukrainën. Ekspertët besojnë se ajo po ia del të tregojë dallimin mes zotit Lukashenko dhe popullit bjellorus.
“Alexander Lukashenko nuk ka të drejtë të përfaqësojë shoqërinë bjelloruse. Shoqëria bjelloruse nuk e votoi atë në vitin 2020. Shoqëria mbetet viktimë dhe peng i këtij regjimi. Ajo ishte në gjendje ta shprehte këtë si duhet” tha Pavel Slunkin nga Këshilli Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë.