Ndër 5 vendet e Bashkimit Evropian të cilat nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, kryeson edhe Greqia.
Kështu shkruan gazeta serbë “Danas”.
Plani i 13-pikëshit i Gjermanisë dhe Francës parashikon që të 5 vendet duhet të njohin pavarësinë e Kosovës, në mënyrë që marrëveshja që do të arrihet ta ketë legjitimitetin e plotë në nivel të BE-së.
“Nëse propozimi pranohet, pavarësia e Kosovës do të pranohet nga pesë vendet e mbetura të BE-së, ndërsa Serbia do të ketë ndihmë të konsiderueshme financiare dhe do të njihet si fuqi në rajon”, shkruhet në media.
Nga pesë vendet e mbetura Greqia, Spanja, Sllovakia, Rumania dhe Qiproja, Greqia është aktualisht më afër njohjes së pavarësisë së Kosovës, sipas burimeve të “Danas”-it nga qarqet diplomatike.
“Greqia është më e afërta me këtë sepse aktualisht po e trajton Kosovën në çdo gjë si shtet të pavarur dhe është vetëm çështje kohe se kur do ta bëjë këtë zyrtarisht.
Deri më tani, Greqia nuk e ka njohur Kosovën për shkak të interesave të atij vendi dhe dinamikës rajonale të marrëdhënieve, por problemi kryesor ballkanik që kishte Greqia – mosmarrëveshja me Maqedoninë e Veriut – është zgjidhur. Ata nuk kanë asnjë pengesë tjetër për çështjen e pavarësisë përveç Qipros”, thonë burimet e gazetës serbe.
Megjithatë, ata shtojnë se meqë Qiproja është anëtare e BE-së, kjo çështje është mjaft e ndryshme nga ajo e Kosovës dhe se autoritetet në Greqi mund ta theksojnë këtë dallim nëse dëshirojnë të marrin mbështetje për njohjen e Kosovës.
Nëse Greqia e bën këtë, Qiproja me siguri do të inatoset, por sigurisht që nuk do të mbetet i vetmi vend që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, nëse BE-ja kërkon unitet nga anëtarët e saj dhe nëse Greqia e ngre këtë çështje.









