Kërcënimi i presidentit rus, Vladimir Putin, për përdorimin e armëve bërthamore pas ngecjeve të ushtrisë ruse në luftën në Ukrainë është “një retorikë e rrezikshme dhe e pamatur”. Kështu tha sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
Sipas tij, e vetmja mënyrë për t’i dhënë fund luftës që Rusia nisi kundër Ukrainës është që të dëshmohet se Moska nuk do të fitojë në fushëbetejë.
Stoltenberg tha në një intervistë për Reuters se njoftimi i Putinit përbën mobilizimin e parë ushtarak të Rusisë që nga Lufta e Dytë Botërore.
Kjo, sipas tij, do të përshkallëzojë konfliktin, që do të çojë në humbje më të mëdha të jetës.
Por, shefi i NATO-s shtoi se njoftimi i Putinit po ashtu dëshmon se lideri rus ka bërë “një gabim të madh” kur ka vendosur që të pushtojë Ukrainën më 24 shkurt.
Ai tha se aleanca ushtarake e NATO-s do të qëndrojë e qetë “dhe nuk do të angazhohet në retorika të pamatura dhe të rrezikshme bërthamore sikurse presidenti Putin”.
“E vetmja mënyrë për t’i dhënë fund kësaj lufte është të dëshmohet se presidenti Putin nuk do të fitojë në fushëbetejë.
Kur ai ta kuptojë këtë, ai do të detyrohet të ulet dhe të negociojë një marrëveshje të arsyeshme me Ukrainën”, tha Stoltenberg./ Marrë nga REL