Ushtria ruse tha më 22 shtator se të paktën 10.000 persona kanë dalë vullnetarë për të luftuar në Ukrainë, rreth 24 orë pasi presidenti rus, Vladimir Putin, urdhëroi mobilizimin e rezervistëve.
“Gjatë ditës së parë të mobilizimit të pjesshëm, afër 10.000 qytetarë kanë arritur në qendrat e rekrutimit, me vullnet të lirë, pa pritur që të thirreshin”, tha për Interfax zëdhënësi i ushtrisë ruse, Vladimir Tsimlyansky.
Ai shtoi se ushtria ka krijuar qendra të thirrjes për t’iu përgjigjur pyetjeve të qytetarëve dhe organizatave lidhur me mobilizimin.
Më 21 shtator njoftoi për shpalljen e “mobilizimit të pjesshëm” të rezervistëve. Më pas, ministri i Mbrojtjes së Rusisë, Sergei Shoigu tha se do të thirren 300.000 rezervistë për luftën në Ukrainë.
Pas njoftimit të Putinit, mbi 1.300 persona u arrestuan në mbarë Rusinë të mërkurën, gjatë protestave kundër mobilizimit./REL