Trafiku i automjeteve që arrijnë në kufirin lindor të Finlandës me Rusinë u rrit gjatë natës, tha roja finlandeze e kufirit herët këtë mëngjes, por shtoi se situata ishte nën kontroll.
Finlanda po monitoron nga afër situatën në Rusinë fqinje pasi presidenti rus Vladimir Putin njoftoi një mobilizim të pjesshëm të rezervave, tha të enjten ministri i Mbrojtjes i vendit Andi Kaikkonen.
Megjithatë, numri i njerëzve që kaluan kufirin dje ishte më i ulët se në fundjavë, tha kreu i çështjeve ndërkombëtare në rojen kufitare finlandeze, Matti Pitkaniitti.
Një total prej 4,824 rusë mbërritën në Finlandë përmes kufirit lindor dje, nga 3,133 një javë më parë.
Roja kufitare është në gatishmëri në nëntë pika kontrolli, vuri në dukje ai gjithashtu në deklaratat që bëri për Reuters.
Mbrëmë roja kufitare finlandeze njoftoi se trafiku kufitar ishte “normal” pasi Putin njoftoi mobilizimin e qindra mijëra rezervistëve për të përforcuar forcat ruse në Ukrainë.
Situata “nuk ka ndryshuar ndjeshëm”, tha ajo në një mesazh në Twitter, duke mohuar zërat që qarkullojnë në internet për radhë të gjata prej disa kilometrash.
Ministri i Jashtëm i vendit njoftoi gjithashtu dje se Finlanda do të përgatisë një “zgjidhje kombëtare” për të kufizuar apo edhe bllokuar plotësisht kalimin e “turistëve rusë” në territorin e saj.
Por sot është i vetmi shtet anëtar i BE-së në kufi me Rusinë që lejon shtetasit rusë me viza Shengen të kalojnë kufijtë e saj, pasi Polonia dhe tre shtetet baltike vendosën në fillim të këtij muaji të bllokojnë hyrjen e një pjese të madhe të qytetarëve rusë.