Policia ka arrestuar këtë të premte mjekun Fitim Marku, i cili u kap në flagrancë teksa merrte nga një paciente shumën prej 200 mijë lekë të vjetra kundrejt shërbimit të skanerit.
Pas këtij operacioni të policisë, ka reaguar Spitali i Traumës duke thënë se raste të tilla nuk duhet të njollosin të gjitha bluzat e bardha.
“Nisur nga ngjarja e sotme e ndalimit të mjekut me inicialet F.M, Spitali Universitar i Traumës inkurajon organet e drejtësisë për të çuar deri në fund hetimin dhe zbardhjen e së vërtetës, për të vënë para përgjegjësisë këdo që përfshihet në veprime të kundërligjshme, përkundrejt shërbimit që ofrohet për qytetarët.
Raste të tilla nuk duhet të përkthehen në njollosjen e të gjitha bluzave të bardha, mjekëve dhe infermierëve, të cilët e kryejnë me përkushtim dhe korrektesë punën e tyre çdo ditë në shërbim të pacientëve.
Garantojmë qytetarët se, në Spitalin Universitar të Traumës nuk u ndërpre dhe nuk do të ndërpritet në asnjë moment shërbimi për këdo që ka nevojë për kujdes mjekësor”, thuhet në reagim.