Drejtori i ri i policisë së shtetit, Muhamet Rrumbullaku ka 100 ditë kohë për të vendosur rendin dhe zbatuar porositë e kryeministrit Edi Rama.
Kjo ka bërë që drejtori të dalë në bazë duke njoftuar lëvizjet duke filluar nga emërimet në detyrë apo lëvizjet brenda radhëve.
Por, jo të gjitha urdhrat janë pritur mirë nga punonjësit. Një burim brenda policisë tha për “5pyetjet.al” se me ardhjen e drejtorit të ri është shtuar orari i punës për një pjesë të segmenteve brenda uniformave blu.
Referuar ngjarjeve më të fundit, struktura më e prekur nga urdhri është ajo e hetimit të krimeve. Kjo është pritur me skepticizëm, pasi i njëjti burim tha se “ende nuk dihet nëse orët shtesë do të paguhen”.
Gjithçka duket se ka ardhur si pasojë e presionit të ushtruar nga lart që brenda afatit 100 ditor të realizohen të gjitha porositë që la shefi i qeverisë.
Përveç shtimit të pasigurisë që prej daljes së e-maileve dhe stresit, tani një pjesë e punonjësve do të përballen edhe me trysninë dhe lodhjen.
Ngjarjet kriminale të pa zbardhura janë të shumta, por a do të mjaftojnë orët shtesë dhe 100 ditë për të plotësuar objektivat? Kjo mbetet për t’u parë. Numërimi mbrapsht ka disa ditë që ka filluar.
Sadedin Fishta, kryetar i sindikatës së policisë u shpreh se policia e shtetit sot ka 600 efektivë mangët. “Ne rekrutojmë vetëm 300, ndërkohë që janë 600 vende të paplotësuara, që policia e shtetit i ka mangët” tha ai për “5pyetjet.al”.