Presidenti iranian, Ebrahim Raisi, anuloi një intervistë me rrjetin amerikan “CNN” pasi një nga spikeret, Christiane Amanpour, refuzoi të mbante hixhabin gjatë intervistës.
“Kjo do të ishte intervista e parë e Presidentit Raisi në tokën amerikane, gjatë vizitës së tij në SHBA. Pas javësh planifikimi dhe tetë orësh vendosjeje të pajisjeve të përkthimit, dritave dhe kamerave, ne ishim gati. Por asnjë shenjë e Presidentit Raisi ”, shkroi vetë Amanpour në Twitter.
40 minuta pasi duhej të fillonte intervista, një ndihmës i presidentit iu afrua dhe i kërkoi asaj të mbante një shami.
“Kam refuzuar me mirësjellje”, ka shkruar spikerja duke shtuar se “ne jemi në New York”, ku nuk ka asnjë ligj apo traditë në lidhje me shamitë.
Ajo i kishte theksuar se asnjë president i mëparshëm iranian nuk e ka kërkuar këtë kur i ka intervistuar jashtë Iranit.
Ndihmësi e bëri të qartë se intervista nuk do të ndodhte nëse gazetarja nuk do të mbante shami.
Amanpour u largua dhe intervista nuk u zhvillua.
“Ndërsa protestat vazhdojnë në Iran dhe njerëz po vriten, do të kishte qenë një moment i rëndësishëm për të folur me Presidentin Raisi.”
Javën e kaluar, Raisi dha një intervistë për programin 60 Minuta të CBS. Gazetarja e CBS, Leslie Stahl, përshkroi se si asaj i thanë “si të vishej, të mos ulet para tij dhe të mos e ndërpresë atë”.
Intervista e anuluar vjen mes protestave intensive në të gjithë Iranin pas vdekjes së Mahsa Amini, e cila vdiq pasi u arrestua dhe u raportua se u rrah nga policia morale në Teheran.