Shtetet e Bashkuara njoftuan më 23 shtator se do të lehtësojnë kufizimet e eksportit ndaj Iranit, me qëllim që të zgjerojnë qasjen në shërbimet e internetit.
Shërbimet e internetit në Iran janë kufizuar nga Qeveria pas protestave që po organizohen për shkak të vdekjes së një gruaje, e cila vdiq pasi u arrestua nga policia e moralit.
Në deklaratën e Thesarit amerikan u tha se SHBA-ja po synon që të rrisë mbështetjen për lirinë e internetit në Iran, përmes përditësimit të licencave, për shkak se Qeveria iraniane më 21 shtator kufizoi rëndë qasjen në internet, pas trazirave që shpërthyen për shkak të vdekjes së Mahsa Amini.
Amini, 22 vjeçe, vdiq pasi ishte arrestuar nga autoritetet nën dyshimet se kishte shkelur rregullat e veshjes së hixhabit.
“Përderisa Qeveria iraniane po bllokon qytetarët e saj që të kenë qasje në internet, Shtetet e Bashkuara po ndërmerr veprim për të mbështetur qarkullimin e lirë të informacionit dhe qasjes në informacione të bazuara në fakte për popullin iranian”, u tha në deklaratë.