Liderët e vendeve të G7 kanë publikuar një deklaratë përmes të cilës dënojnë të ashtuquajturat referendumet e Rusisë në katër rajonet ukrainase.
“Këto veprime shkelin qartë Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe Ligjin ndërkombëtar, dhe janë diametralisht kundër sundimit të ligjit midis kombeve… Këto referendume në zonat që janë vënë me forcë nën kontrollin e përkohshëm të Rusisë në asnjë mënyrë nuk përfaqësojnë një shprehje legjitime të vullnetit të popullit ukrainas, i cili vazhdimisht i ka rezistuar përpjekjeve ruse për të ndryshuar kufijtë me forcë”, thuhet në deklaratë.
Përveç kësaj, liderët thanë se u bëjnë thirrje të gjitha vendeve që të refuzojnë këto referendume të rreme, që janë përpjekje e Rusisë për t’i mbuluar shkeljet e Ligjit ndërkombëtar.
“Ne jemi të gatshëm të imponojmë sanksione të mëtejshme ekonomike për Rusinë dhe për individët dhe subjektet – brenda dhe jashtë Rusisë – që ofrojnë mbështetje politike ose ekonomike për përpjekjet e paligjshme të Rusisë për të ndryshuar statusin e territorit ukrainas”, thuhet në deklaratë.