Kreu i PAA-së, deputeti Agron Duka u kërkoi demokratëve dhe të gjithë opozitarëve që të bashkohen për të rrëzuar qeverinë Rama. Ai kërkoi që të lihen pas ndasitë e vjetra për t’u unifikuar në një koalicion opozitar në zgjedhjet lokale.
“Përtej pakënaqësive midis palëve brenda PD-së, është jetike për vendin që ky ngërç të tejkalohet sa më parë në forcën kryesore të opozitës, sepse ndërkohë që ne nuk kemi nisur ende organizimin, Partia Socialiste e ka nisur fushatën.
Përsëritja e gabimeve të së shkuarës do të ishte edhe më fatale, pasi qytetarët më shumë se kurrë, kanë nevojë të përfaqësohen nëpërmjet opozitës në institucionet e pushtetit vendor, sepse është e qartë për të gjithë që kjo mazhorancë nuk ka asgjë për të ofruar dhe vetëm çorganizimi ynë, lejon qëndrimin e saj në pushtet!
Ndaj mbështes qëndrimin e demokratëve të Mirditës dhe urojë që ky vullnet i mirë, të përhapet në gjithë Shqipërinë.
Inkurajojë gjithashtu të gjitha forcat opozitare të organizohen një orë e më parë, për të gjetur pikat e bashkëpunimit, të bazuara mbi vlerat e përbashkëta dhe ambiciet për të përfaqësuar sa më mirë qytetarët shqiptarë, duke i dhënë fund monopolit antidemkratik të mazhorancës aktuale moniste.
Si një politikan me një përvojë të gjatë, që në asnjë moment nuk kam vendosur interesat për pushtet mbi qëllimet e përbashkëta, ndjejë përgjegjësinë qytetare që të hedhë një hap në drejtim të bashkimit të opozitës në funksion të zgjedhjeve vendore, duke mbështetur rezolutën e demokratëve të Mirditës si një platformë që i vlen të gjitha partive opozitare” tha ai.