Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se referendum i 26-30 shtatorit të vitit 1991 ka vënë themelet e para të shtetit të Kosovës.
Ajo më tej ka thënë se në atë kohë qytetarët shprehën vullnetin politik për një shtet të pavarur.
“Referendumi i vuri themelet e para të shtetit të Kosovës. Ai qe një deklarim plebishitar jo vetëm për pavarësinë e vendit, por edhe për përcaktimin e Kosovës për demokraci përfaqësuese
Ai e vulosi dëshirën e qytetarëve të vendit për të jetuar të mosvarmë dhe u hapi udhë proceseve të pandalshme drejt jetësimit të shtetit, nën udhëheqjen e prijësit të saj historik, Presidentit Rugova”, u shpreh ajo.
Osmani më tej ka shtuar se në këtë përvjetor kujtojmë me respekt të gjithë ata që organizuan dhe morën pjesë në këtë referendum.
“Në këtë përvjetor, ne i kujtojmë me respekt të gjithë ata që organizuan ose iu përgjigjën thirrjes për referendum. Ata u kujdesën që zanafilla e shtetit të ri të mbajë vulën e deklarimit të lirë të qytetarëve të saj. Vullneti i tyre qe përcaktues për të ardhmen e vendit tone”, shtoi ajo.