Gjermania ka shumë mundësi që të mbajë dy centrale bërthamore në funksion edhe në çerekun e parë të vitit 2023, ka thënë ministri gjerman i Ekonomisë, Robert Habeck.
Ai e ka quajtur një vendim të tillë si të “nevojshëm”, duke thënë se bisedimet me operatorëve e dy centraleve -Isar 2 dhe Neckarwestheim – kanë përfunduar, dhe çështjet kyçe janë adresuar.
Gjermania pati planifikuar që të ndalë të gjitha centralet bërthamore në fund të këtij viti, mirëpo lufta në Ukrainë ka rritur shqetësimet se shtetit do t’i duhet të shfrytëzojë të gjitha burimet e energjisë për të kaluar dimrin.
Habeck ka bërë të ditur edhe më herët gjatë këtij muaji se Gjermania synon të mbajë aktive dy centrale bërthamore deri në prill, në rast nevoje.
Megjithatë, atëherë ai pati thënë se centralet do të çaktivizohen nga rrjeti elektrik dhe ato do të jenë rezervë.
Të martën Habeck e ka konfirmuar vazhdimin e punës së centraleve, duke e përmendur edhe situatën e sigurisë në Francën fqinje.
Më shumë se gjysma e centraleve bërthamore në Francë aktualisht nuk janë të kyçura në rrjet./REL