Venecia është mahnitëse.
Një qytet i ndërtuar rreth 120 ishujve, i kryqëzuar nga 177 kanale dhe eksplorohet më së miri nëpërmjet përdorimit të 391 urave të tij.
Është një labirint me ujë, plot me shtigje të vogla dhe sheshe të fshehura, muzeume të fshehura dhe kisha të izoluara shekullore.
Por në “La Serenissima”, nëse nuk merren masa drastike, ditët e qytetit mund të jenë të numëruara.
Venecia është në rrezik dhe në skenarin më të keq, qyteti mund të zhduket nga rritja e nivelit të detit në vitin 2100.
Ndërkohë, shumë prej ndërtesave po fundosen ose po dëmtohen nga valët e varkave. Po ashtu është e mbingarkuar në mënyrë rutinore nga turistët teksa popullsia lokale është në rënie të vazhdueshme.
Në të gjithë globin, një sërë qytetesh po goditen në mënyrë të ngjashme nga problemet thelbësore të Venecias të rritjes së nivelit të detit.
Çdo qytet në rrezik ka sfidat e veta për të trajtuar. Por duke pasur parasysh madhësinë e vogël, famën dhe aftësinë e Venecias për të aksesuar fonde, mund të jetë një terren ideal prove për teknologjitë dhe qasjet që do të luajnë rol kyç në luftën globale kundër rritjes së nivelit të detit.
Në nëntor 2019, Venecia pësoi përmbytjen e dytë më të rëndë që nga fillimi i regjistrimeve pothuajse 100 vjet më parë. Kjo krijoi tituj në mbarë botën, me shikuesit të mahnitur nga imazhet e pabesueshme të Sheshit të Shën Markut, një nga zonat më ikonike të qytetit.
Batica arriti një lartësi maksimale prej 187 centimetra mbi nivelin e detit, duke rezultuar në më shumë se 80 për qind të qytetit nën ujë.
Sipas kryetarit të bashkisë së Venecias, Luigi Brugnaro, është shpallur një gjendje e jashtëzakonshme dhe ka pasur dëme në vlerë prej rreth një miliardë eurosh.