Deputeti i PD-së, Luçiano Boçi, ka deklaruar nga foltorja e Partisë Demokratike se do të fillojnë një sërë denoncimesh për vjedhje dhe abuzime që ka kryer kryebashkiaku i Vaut të Dejës.
Ai theksoi se PD posedon dokumente të cilat do t’ja nis mediave dhe SPAK.
Deklaratë e n/kryetarit të PD, Luçiano Boçi
Sot nga foltorja e Partisë Demokratike do të fillojmë një seri denoncimesh për abuzimet dhe vjedhjet spektakolare të kryetarit të Bashkisë së Vaut të Dejës.
Medias do t’i nisim menjëherë dokumentet përkatës që faktojnë se në pushtetin sadist të Ramës vjedhja është shndërruar në normalitet dhe në formë talljeje me qytetarët.
Që në fillim duam të theksojmë se Partia Demokratike – dega Vau i Dejës, e ka paraqitur në SPAK këtë abuzim me paratë e taksapaguesve, që më 15 korrik 2021.
Ka kaluar më shumë se një vit dhe asnjë lëvizje nga njësia e prokurorëve specialë, e cila mbahet me paratë e taksapaguesve dhe është ngritur për të mbrojtur takspaguesit.
Pas zhvillimit të tenderit, fitues është shpallur ofertuesi më i lartë, kompania “Ndërtuesi 2000”.
Ndërkohë që kjo është shkelja e parë, pra dhënia e tenderit atij që thotë se i duhen më shumë para se të tjerët për ta bërë punën, abuzimet nuk kanë të sosur.
Fituesi i tenderit dhe Bashkia nuk kanë sistemuar dhe shtruar rrugën për të cilën është zhvilluar gara, por një rrugë tjetër në lagjen “Muçejan”.
Shkelja lidhet me faktin se një objekt i patenderuar nuk mund të likujdohet.
Një shkelje tjetër, që e vëren Anti-korrupsioni, është se Komisioni i Vlerësimit në Bashki ka shpallur firmën fituese në kundërshtim me kërkesat e rastit.