Tensionet mes Greqisë dhe Turqisë për ishullin e ndarë të Qipros duket se po përshkallëzohen. Turqia thotë se po rrit praninë e saj ushtarake në ishull në përgjigje të heqjes së embargos së armëve nga Uashingtoni kundër administratës qipriote greke. Ministri i Jashtëm turk Mevlut Cavusoglu akuzoi SHBA se janë në anën e Greqisë duke thënë se është bërë lodër e Athinës në mosmarrëveshjen për Qipron.
“Ata që mbajnë anën e grekëve vetëm për t’iu bërë qejfin atyre nuk duhet të presin miqësi nga ne, sepse Turqia nuk do të përkulet para akteve të tilla. Turqia do të ndërmarrë hapat e nevojshëm në Qipro”, tha zoti Cavusoglu.
Gjatë kësaj jave ai njoftoi se Turqia do të rrisë praninë e saj ushtarake në Qipro pasi Uashingtoni hoqi embargon e armëve ushtarake ndaj administratës qipriote greke.
Ky ishull i Mesdheut është i ndarë mes komuniteteve greke dhe turke qipriote, që nga viti 1974. Administrata greke e Qipros është e vetmja qeveri e njohur ndërkombëtarisht.
Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price la të kuptohej së fundmi se i ofronte mbështetje Athinës në mes të tensioneve në rritje me Ankaranë mbi ishujt grekë në detin Egje.
“Sovraniteti i Greqisë mbi këta ishuj nuk vihet në pyetje. Por, ne u bëjmë thirrje vendeve, përfshirë aleatët tanë, të respektojnë integritetin territorial dhe sovranitetin dhe të shmangin veprimet që nxisin tensionet”, tha zoti Price.
Ankaraja ka dënuar militarizimin e disa prej ishujve grek pranë brigjeve turke, për të cilat Turqia pretendon se shkelin një marrëveshje ndërkombëtare. Athina këmbëngul se po mbron vetëm territorin e saj nga kërcënimet turke./ VOA