Autoriteti shëndetësor i Suedisë njoftoi të premten se nuk po rekomandon më vaksinimin Covid-19 të adoleshentëve të shëndetshëm të moshës 12 deri në 17 vjeç për shkak të “rrezikut shumë të vogël” të zhvillimit të formave të rënda të sëmundjes në atë moshë.
Masa do të hyjë në fuqi më 31 tetor, sqaron Shërbimi Shëndetësor Publik në një deklaratë.
“Vendimi do të thotë që nga 1 nëntori, rekomandimi – dhe për rrjedhojë propozimi i vaksinimit – do të zbatohet vetëm për të miturit në grupet me rrezik të lartë për Covid-19”, thuhet në të.
Në fillim të shtatorit, Mbretëria e Bashkuar, nga ana e saj, hoqi rekomandimin e saj për të vaksinuar fëmijët nën moshën 11 vjeç pa probleme shëndetësore.
“Në përgjithësi, konstatojmë se nevoja për trajtim në lidhje me Covid-19 ishte e ulët tek fëmijët dhe të rinjtë gjatë pandemisë dhe se ajo gjithashtu u ul pas shfaqjes së variantit Omicron”, nënvizon Shërbimi Shëndetësor Suedez.
Për ata mbi 18 vjeç, rekomandimi suedez është për tre doza të vaksinës. Në vendin nordik, doza e katërt rekomandohet për mbi 65 vjeç.