Sondazhet e fundit , bërë nga mediat e ndryshme, dëshmuan një të vërtetë që e ka ditur secili nga ne, dhe, për më tepër, shumë e kanë provuar: klasa politike në Shqipëri ka mbështetjen dhe besimin më të paktë të mundshëm; janë të paktë ata që ende kanë shpresë se, përmes kësaj klase politike mund të zgjidhen hallet dhe të ketë prosperitet, e, duke shkuar më tej, nëntë në dhjetë politikanë besohet se janë të korruptuar, ose i janë futur politikës pikërisht për këtë qëllim. Korrupsioni, si në të djeshmen, edhe në të sotmen, është gangrena mbizotëruese, dhe saktësoj se faji nuk është i sistemit, por i atyre që kanë abuzuar me të deri në theqafjen e tij. Ditët e fundit , jo rastësisht, nga selia e PD-së u ngrit një komision i veçantë për hetimin e parave ruse që kanë depërtuar në sipërinën politike të saj. Nëpërmes Lulzim Bashës, që synohet të përcaktohet si e vetmja dele e zezë në strukturën e saj. Po financimet serbe kush do i hetojë? Po mbështetjen financiare greke, haptas, kush do e hetojë? Ishte vetëm Basha njeriu që bashkëpunoi me botën e errët ruse për të financuar partinë e tij në gjithë farë lobimesh, apo edhe të tjerë, para tij kanë ndjekur këtë rrugë? Alibi e kujt mund të shërbejë shembulli i tij dhe pse ajo pjesë e opozitës, mbështetëse e Berishës, po shpejton të distancohet nga ai dhe vetëm nga ai? A duhen dënuar politikanët e sotëm dhe pse SPAK-u, edhe sikur të jetë dhjetëfish më i forcuar, nuk mund ta bëjë i vetëm ndëshkimin e klasës politike në Shqipëri. Jo rastësisht, klasa politike mbolli idenë se përmes kësaj strukture të posaçme anti korrupsion do të fillojë ndëshkimi i së keqes, në sprovën e bankës së akuzës do të jenë peshqit e vegjël dhe peshkaqenët e mëdhenj, se politika nuk do të jetë mbizotëruese dhe çlirimi i drejtësisë do të vijë përmes saj. Ngjallja e besimit se SPAK do të jetë shpata e shprishjes së nyjes gordiane korruptive dhe pamundësia për të bërë këtë e bën vetë ndëshkimin korruptiv, mbi drejtësinë dhe seleksionues.
Nëse SPAK e ka filluar ndëshkimin nga poshtë lart, njerëzit e kanë pritur nga lart poshtë, nga strukturat e larta drejtuese të pushtetit deri në atë shtresë të godinës koruptive që përbën shkallën e ulët të saj. Njerëzit kanë një vizion më të qartë për drejtësinë se vetë përfaqësuesit e saj. Tragjikomedia e deri tanishme e Vetingut, ku thuajse gjysma e gjyqtarëve dhe prokurorëve janë zbuar nga sistemi, qoftë edhe për vetëm një shkak, pasurinë e paligjshme, të zbuluar, tregon se e keqja është thellë, nuk është zbuar dhe nuk do të mund të zbohet nëse nuk ndodh përmbysja e domosdoshme, nëse vetë drejtësia nuk e vret frikën e saj dhe, mbi të gjitha, nëse nuk fillohet nga kreu i së keqes. Liderët e politikës dhe drejtuesit e shtetit. Është dashur prej kohe, shumë prej kohe që, liderëve politikë, në partitë e mëdha dhe në partizat shushunjë, t’u bëhet pyetja e pashmangshme : cila është pasuria juaj? Si e keni vënë këtë pasuri? Po vartësit tuaj, farefisi, kunetërit, vllezërit, kunatat, bijat e bijtë, si janë pasuruar; në cilën mënyrë u bënë ata zotër të pasurive të pamasa; si mundën në pak vite të jetojnë në vila mbi 1 milionë euro – cilat lidhje kanë me oligarkë dhe të të botës së krimit të organizuar? Në 30 vitet e fundit shteti ka kaluar përmes pak duarve, si një oligarki politike, që ka ndërruar vendin herë pas here, pa ndërruar shuma e së keqes. Rreth tyre ka qenë, po ashtu, një klikë politike, e cila është rrjeshtuar si një mur i jashtëm, duke financuar bosët e politikës.
Çfarë duhet bërë me to? Ne kemi një klasë politike që nuk e bren ndërgjegjja dhe as që është e shqetësuar. Që nuk njeh as moral dhe as besim. Një oligarki e zgjedhur , megjithëse në dukje përmes votës pluraliste, mund të bëhet po aq e rrezikshme sa edhe një diktaturë tiranike, në qoftë se kërkon të ushtrojë absolutizmin. Ne kemi pasur pluralizëm, por në të njëjtën kohë edhe qeveritarë që ushtruan absolutizmin. Në ditët e fundit është rizgjuar çështja e ”klubit Partizani“ dhe Gërdeci. Është një çështje që ka lidhje me drejtësinë dhe do të ketë një ditë përfundimin e saj. Faji idisa ministrave të mbrojtjes të Mbrojtjes, jo vetëm Mediu, qëndron në vënien e tyre në shërbim të familjes absolutiste Berisha. Mund të jetë kështu. Tragjizmi që prodhoi Gërdeci mbetet njolla e zezë e botës oligarke në pushtet. Por, cili ministër nuk i shërbeu absolutizmit të Njëshit? Ishte vetëm Mediu? Vetëm i djallëzuari Ruli? Vetëm tankisti Imami? Po Alibeaj që përgatiti materialet bazë ligjore për Gërdecin? Po ish ministri Bumçi që dërgonte raportet te Berisha i vogël? Po ministrat e sotëm, për të cilët Edi Rama sjell shiun dhe diellin dhe rrallë herë mendojnë me kokën e tyre? Po deputetët që ngrenë kartonin si e kërkon i pari i tyre? Po 21 janari a nuk ishte mendësia e absolutizmit plural që vrau katër demonstrues me duar në xhepa dhe mund të vriste edhe shumë herë më tej, për deri sa ish shefi i qeverisë deklaroi me mburrje se u vranë 3, mund të vriteshin 33, e 333 vetë. Po gremina e financave në të djeshmen dhe në sotmen, përmes konçensioneve të djeshme dhe PPP të sotme cilët kishin kundërshtarë brenda të njëjtit kabinet? Një pushtet autoritar, i pakufishëm, bën një mekanik ministër të shendetsisë, si Nard Ndoka, apo ndërton një kabinet teknik me figura të panjohura, që ende sot, edhe pas fillimit të detyrës, pak kush ua mban mend emrin. Rritja galopante e borxhit publik është gangrena e së ardhmes, por asnjë ministër finance, në dy kabinetet e fundit nuk kishin guximin të thonin “mjaft“, pasi ne jemi ekspertë financiarë dhe i dimë rreziqet e këtij borxhi. Kohët e fundit, brenda opozitës, po ndodh përleshja e ditur tashmë mes Ber[1]ishës dhe Bashës. Pak ka të bëjë me parimet apo me besëprerjen e statutet partiake kjo ndeshje e errtë.
Nga njëra anë, djalli i kryengritjes ka marë pamjen e engjëllit të reformës; nga ana tjetër djali plangprishës ka marrë flamurin e partisë që ia dhuruan. Pas tyre janë përgjithësisht sejmenë, dhe, në sfond disa të paktë figura idealiste e dinjitoze që e shohin me dhimbje përplasjen, por nuk kanë as durimin, as forcën dhe as i kanë thirrur të ndryshojnë gjendjen. Duket luftë parimesh, vulash dhe nenesh e paragrafesh, në fakt është luftë për pushtetin e së nesërmes dhe pasurinë e së djeshmes. Të dyja palët, përmes pushtetit politik, duan të ruajnë pasuritë e tyre: njëri të familjes së tij biologjike, tjetri edhe përtej saj, edhe te familja kunetore. Berisha e di se qëndrimi në politikë është qyrku për mbrojtjen e familjes së tij dhe për të shpënë pasurimin më tej, që është shumë milionësh, i dyshimtë dhe korruptiv. Në themel të saj është Gërdeci, pafytyrësia e fëmijve berishianë dhe makutëria e përbindshme, duke i hipur mbi kurriz pushtetit të babait të tyre. Duke e dyfishuar zyrën kryeministrore : njëra në Bulevardin e Madh, tjetra në çantën e birit kryeministror. Asnjë ministër nuk i thonte dot “jo” dhe nga besnikëria ndaj tij u bënë ministra Aldo Bumçi, Alibeaj, Ruli, Imami, e shumë të tjerë. Basha synon të mbajë pushtetin politik të opozitës, megjithëse duket se po qëndron në hije, jo se është më demokrat se Berisha – është pjellë direkte e tij, as se e do më shumë Amerikën- megjithëse mendohet se ka edhe një pasaportë të këtij vendi, as se i ha meraku për statutin që e ka shkelur si ka dashur e kur ka dashur, në fund të fundit ai e ka pritur dhe përgatitur dënimin e Berishës, por pushteti politik lidhet me pushtetin financiar.
Lulzim Basha si shef i opozitës është thuajse gjithçka, Lulzim Basha jashtë politikës është asgjë. Askush nuk do të gëzohej në opozitë se i foli Lulzim Basha. Një, si të tjerët. I pasur, por pa pushtet. Njeriu që ka katërfishuar vilat në opozitë mendoni se çfarë mund të bëjë në pushtet! Shefi i opozitës që u pasurua edhe në zgjedjet e fundit politike , mendoni se çfarë mund të bëjë në pushtet! Lideri që, në momentin e fundit, përjashtoi tinëzisht “babain e tij politik“ nuk ngjall besim e as shpresë te të tjerët. Në ditët e tashme parlamentare, i fryrë nga madhështia dhe për të spostuar vemendjen, ai kujton se është çështje nderi të ruajë për vete tonin e tiranisë së mundshme, duke kërkuar ndihmën e lirisë. Mos prisni gjë nga ai që i kanë dhuruar gjithçka. Që të çvidhoset ingranazhi i korrupsionit, duhet fillimisht të çvidhoset ai i pushtetarëve të lartë. Ndryshe çdo gjë është e kotë, lojë fjalësh, fajësi e përdorur për kalimin e çastit, bashkëfajësi dhe mosndëshkim. A duhet gjykuar kjo klasë politike? A duhet ajo të kalojë në “makinën e së të vërtetës“, që, në këtë rast, më shumë se sa një strukturë, SPAK, është mekanizmi i tërë shtetit, sidomos i financës. Asnjë qeveri nuk qëndron në këmbë kur nuk kontrollohet lëvizja financiare e pushtetarëve të saj. Një qeveri që nuk ka frikë nga administrata financiare ajo e ka mposhtur shtetin. E, kur, e ka nënshtruar këtë administratë, ajo ka pushtuar shtetin. Klasa politike duhet gjykuar. Një nga një dhe të gjithë bashkë. Më i vjetri prej tyre është Berisha. I shpallur “non grata“ nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Asnjë institucion serioz ndërkombëtar nuk doli kundër këtij vendimi. As miqtë e ngushtë të Berishës, mbështetës të tij dhe të shpallur hapur favoritë të sundimtarit Berisha. A duhet gjykuar Berisha? Nëntë vite më parë, kur ai ishte ende në pushtet, kam shttuar këtë pyetje, që, si shumë të tjera, ishte zë i humbur në shkretëtirën e politikës. Shpresa se, me ardhjen në pushtet të së majtës, do të niste ndëshkimi i së keqes, u shua shpejt.
I rikthehem pyetjes: a duhet gjykuar ai? Përse Departamenti Amerikan i Shtetit u ndal veçanërisht në figurën e tij dhe a ishte ndikimi i filantropit Soros në dënimin e tij? Asnjë politikan i lartë nuk është ndëshkuar kështu dhe lufta që ai i ka shpallur DASH është si ajo me mulinjtë e erës. Por, tjetër gjë është shpallja “non grata“ e tij nga njëri ndër institucionet më të fuqishëm të botës, tjetër gjykimi i tij. Përmes saj mund të jetë e qartë nëse kishte të vërteta të hidhura në ndëshkimin amerian, apo e vërteta është e njëmendtë? Fakti që, deri tani, edhe kur gjërat kanë bërë “muuu“, asnjë Berishë nuk është thirrur as për gjënë më normale, të pyetet, ta zënë Shkelzen Berisha , se çfarë bisedoi ditën e tragjedisë së Gërdecit me Delijorgjin, nuk dëshmon pafajësi dhe as nuk është dëshmi e pastërtisë së figurës së tyre, por shenjë e dhunimit të drejtësisë, e nënshtrimit të saj, e në fund, të poshtërimit të hapur. Ndaj është e nevojshme, bile e domosdoshme, të ndodhë gjykimi i kësaj klase politike, që, ndërsa është bërë e pasur, e paturpëshme, cinike dhe mizore, njerëzit janë varfëruar, kanë braktisur vendin dhe kanë humbur shpresën. Berisha mund të jetë i pari, por jo i vetmi e as i fundit. Nëse hapet, e duhet të hapet, “kutia e Pandorës“, duhet bërë për të gjithë. Për të gjithë ata, “njerëzit e vilave”! Është shkruar shpesh herë se nga institucione të posaçme jashtë Shqipërisë janë dosje të përgatitura për figura të ndryshme të politikës, biznesit, të asaj që mund të quhet aliazhi i botës oligarkisë politike e financiare. Më shumë se gjithë të tjerët është folur për ish presidentin dhe ish kryeministrin Berisha. Mund të ketë gjëra të vërteta, ashtu si mund të jetë gjithçka fantazi mediale.
Megjithatë, deklarime spontane apo të llogaritura të figurave të larta të drejtësisë, si ishte ish kryeprokurori Llalla, kanë dëshmuar se ka pasur indicie të ndërhyrjes amerikane për ndëshkimin e nivelit të lartë të politikës shqiptare. Njëri prej tyre ishte Bereisha. A duhej gjykuar ai? E të tjerët? Le të nisim me Berishën, më i vjetri i politikës, gojëtar i furishëm, njeri që besonte lehtë, që i përdori “ të fortët”, por nuk i bëri vend në qeveri, një nga ata burra që kanë ditur ta tërheqin popullin pas vetes për ta çuar në njerën nga dy rrugët: ose drejt pushtetit, ose në greminë. Le të bëjmë që në fillim një marrëveshje: me emërtimin Berishë le t kuptojmë jo vetëm njeriun që mban emërin Sali Berisha, por gjithë atë që fshihet e struket pas tij; klanin e familjes, ish nomenklaturën e lartë të pushtetit, pra, të gjithë ata që, duke qenë në pushtet e duke ikur nga pushteti, bënë një batërdi të vërtetë mbi Shqipërinë, e çorrën atë deri në palcë, e rropën deri në deje dhe, më në fund, si për të dashur të vënë kujën e ngadhnjimit, thanë buzëgaz : “Këtu jemi, ejani e na kapni”. Dy rrugë ka: ose këto njerëz duhet të gjykohen, ose pushteti i tanishëm duhet t’u kërkojë falje shqiptarëve për të gjitha akuzat që ka bërë në tetë vite pushtetit që iku. Tetë vite të qeverisjes Rama kanë qenë të mjaftueshme për të zbardhur gjithçka. Ose mes tyre ka një marrëveshje të fshehtë : mos më prek, nuk do të të prek! Rrugë të mesme nuk ka e nuk mund të ketë: ose do të jetë njëra, ose do të jetë tjetra. Në të vërtetë loja e kungulleshkave që i kushton shumë shtetit, “ kam një kungulleshkë dhe e ndaj në x pjesë”, ka mbi 30 vite që luhet. Ai që nuk e di është njëkohësisht i verbër dhe i shurdhër, ata që e dinë janë të gjithë njerëzit normalë. Askush nuk ka pritur sondazhe medialë për të ditur kaq gjë, dhe, askush nuk ka pritur vendimin e Departamentit të Shtetit për të ditur se çfarë përfaqëson Berisha , e askush nuk do të habitet në daljen e një liste tjetër, më të gjërë. Sepse nerëzit këtu jetojnë. Kur në vitin 1997, Berisha iku i përzënë nga pushteti, në mitin e tij që ende nuk ishte shembur plotësisht, kishte ende një dritëhije, e cila, megfjithë çka kishte ndodhur , fshihej pas thirrmës se “ ai është i ndershëm”…/ DITA