Të dhënat e fundit të Eurostat tregojnë se shqiptarët janë të tretët në botë për sa u përket urdhrave për t’u larguar nga një vend i BE-së në tremujorin e dytë të vitit 2022.
Vetëm në 6 muajt e parë të vitit, sipas të dhënave të Eurostat kanë marrë urdhër për dëbim nga një vend i BE-së gati 12 mijë shqiptarë (11,905), me një rritje prej 23% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Numri më i lartë i urdhrave për largim për shtetasit shqiptarë ka ardhur nga Greqia, me 35% të totalit, i ndjekur nga Franca me 28.5%, Gjermania 12% dhe Suedia me 3%.
Ndërsa për gjithë vitin 2021 kanë marrë urdhra largimi rreth 22 mijë shtetas shqiptarë.
![](https://5pyetjet.al/wp-content/uploads/2022/10/graf-2-1024x512.png)
Pasi ranë në vitin e pandemisë dhe mbetën të ulëta në vitin 2021, aplikimet për azil nga shtetasit shqiptarë në vendet e Bashkimit Europian kanë filluar të rriten sërish me rikthimin e lëvizjes pa kufizime.
Sipas të dhënave të Eurostat, në 7 muajt e parë të vitit u regjistruan gati 5800 kërkesa për azil nga shtetasit shqiptarë, në një nga vendet e Bashkimit Europian.
Në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, shifra është dyfishuar, duke dëshmuar për një tendencë të re të rigjallërimit të emigracionit.
![](https://5pyetjet.al/wp-content/uploads/2022/10/graf1-1024x512.png)
Të dhënat zyrtare të Autoriteteve Britanike tregojnë se rreth 4729 shqiptarë kanë hyrë në mënyrë të paligjshme në vendin e tyre dhe janë regjistruar si azilkërkues gjatë periudhës janar-qershor 2022.