“Nuk mund të vazhdohet më kështu”! Kjo ishte deklarata e dy deputetëve të PD, Dashnor Sula dhe Saimir Korreshi, që i kanë bërë thirrje grupit të kolegëve demokratë që të shkojnë në Gjykatën e Apelit dhe të kërkojnë që të jepet sa më shpejt një vendim për statusin e Partisë Demokratike, pas ankimimit që ka bërë grupi i Alibeajt. Ata kanë kërkuar që gjykata të shprehet me vendim sa më shpejt të jetë e mundur, pavarësisht se cila do jetë vendimmarrja.
“Ky vendim ka interesa të caktuara, nuk e di kush i ka por për ne deputetët e thjeshtë nuk kemi asnjë interes që ky vendim të zgjatet. Mbushen 7 muaj nga mos shqyrtimi nga ankimimi i paraqitur nga ana jonë e vendimit te shkalles se pare.
Është e pa tolerueshme, nuk dua të aludoj por ka interesa të forta nga persona të caktuar apo nga mazhoranca që nuk duan që ky ankimim i bërë nga grupi parlamentar të ketë një vendim. Ky është në interes të shoqërisë në radhë të parë. Na intereson shpejtësia e vendimit që PD mos rrijë më në agoni”, tha deputeti Sula.
Gjykata e Shkallës së Parë njohu Sali Berishën kryetar të PD-së, por Enkelejd Alibeaj që është kryetar grupi e çoi dosjen në Apel. Kjo gjykatë prej marsit ende nuk është shprehur.