Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi deklaroi sot se lista e të dhënave nga skedarët e policisë që u nxor nga hakerat nuk është sistemi “MEMEX”. Por ai nuk e mohoi që të dhënat janë nga kartotekat e policisë.
“Nuk është databaze i sistemit MEMEX që ka policia kriminale. Tani po shohim. Ju e dini që na kanë sulmuar. Ne po punojmë. Jemi në hetim. Kemi një trupë shumë të mirë nga Microsoft.
Do të rrinë këtu. Sistemet do të rikuperohen të gjitha. Ka pasur spekulime. Lista që është publikuar, ka pasur gjeneralitetet kryesore, por nuk është pjesë e databaze” tha ai.
Në listë kishte edhe emra ministrash, ish-ministrash, kryetarë bashkish, por edhe deputetë dhe gazetarë.
“Albanian Suspects” apo shqiptarët e dyshuar titullohen listat e publikuara nga hakerat. Bëhet fjalë për 49 lista të gjata ku pasqyrohet identiteti i personave, numri ID, mosha, vendlindja dhe foto e tyre e sistemit TIMS.
Në publikimet e radhës të “Homeland justice” nuk jepen detaje të tjera se për çfarë janë të dyshuar personat në fjalë por besohet se materialet i përkasin sistemit MEMEX që administrohet nga Policia e Shtetit.
Sistemi kompleks mbledh e përpunon informacion kriminal dhe lidhjet e personave të skeduar ose dyshuar për ngjarje ose veprimtari kriminale.
MEMEX gjithashtu ndërvepron me sistemet e tjera që operon policia si ai TIMS i cili u sulmua më herët nga hakerat iranianë.