Ish-kancelarja gjermane Angela Merkel është vlerësuar nga OKB me çmimin e “UNHCR 2022”.
Nën udhëheqjen e atëhershme të Kancelares Federale Merkel, Gjermania mirëpriti më shumë se 1.2 milionë refugjatë dhe azilkërkues në 2015 dhe 2016, në kulmin e konfliktit në Siri dhe mes dhunës vdekjeprurëse në vende të tjera.
“Ishte një situatë që vuri në provë vlerat tona evropiane si rrallë herë më parë. Ishte as më shumë e as më pak se një imperativ humanitar,” tha ajo aso kohe
Ajo u bëri thirrje bashkëkombësve të saj gjermanë që të refuzojnë nacionalizmin përçarës dhe në vend të kësaj i nxiti ata të jenë “të sigurtë në vetvete dhe të lirë, të dhembshur dhe mendjehapur”.
Filippo Grandi, Komisioneri i Lartë i OKB-së për Refugjatët, vlerësoi vendosmërinë e ish-kancelares federale Merkel për të mbrojtur azilkërkuesit dhe për të mbrojtur të drejtat e njeriut, parimet humanitare dhe ligjin ndërkombëtar.
“Duke ndihmuar më shumë se një milion refugjatë për të mbijetuar dhe rindërtuar, Angela Merkel tregoi guxim të madh moral dhe politik”, tha Grandi.